UWC Adriatic, Itali
Unë quhem Latra Demaçi dhe jam nxënëse e vitit të parë në UWC Adriatic në Itali. UWC për mua është një eksperiencë e cila ma ka ndryshuar jetën në një mënyrë të paimagjinueshme dhe një privilegj për të cilin jam shumë falenderuese.
Shoqëria me individë nga mbarë bota më ka dhuruar një kuptim shumë më të gjerë të diferencave kulturore dhe më ka pajisur me njohuri se si të sillem në situata nga më të ndryshmet, me të cilat nuk jam ballafaquar më parë. Prej momentit që kam ardhur jam ndjerë e mirëseardhur dhe jam inkuadruar në aktivitete të cilat më kanë mësuar se çfarë do të thotë të jetosh në komunitet me të tjerët dhe se cilat barriera duhet të tejkalohen për të krijuar një botë të bashkuar. Vlerat dhe misioni i qartë i UWC-së mundohet të na bëjë sa më të vetëdijshëm për ndikimin tonë në shoqëri dhe rëndësinë e iniciativës për ta ndryshuar atë për të mirë. Duke jetuar në një komunitet divers dhe duke mësuar edhe nga perspektivat e të tjerëve, UWC më ka bërë në fakt të jem edhe më krenare për prej nga vij dhe më ka ndihmuar t’i kuptoj shumë gjëra për vendin tim nga një pikëpamje e re.
Sa i përket jetës akademike, forca e UWC-së në këtë aspekt është rëndësia e madhe që i jep mësimit në mënyrë praktike dhe respekti ndaj origjinalitetit të nxënësve, duke i inkurajuar kësisoj idetë dhe duke u dhënë mbështetje në aspiratat e tyre. Prandaj ndjehem gjithmonë e motivuar që të vazhdoj tutje përgaditjen time akademike. Në këtë linjë, UWC kujdeset që të sigurojë mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit, duke ofruar kështu një sistem mbështetës të gjerë, qoftë në aspektin fizik apo mendor, dhe duke krijuar një komunitet me ambient familjar në të cilin mund të mbështetem gjithmonë.