UWC Pearson, Kanadë
Unë quhem Vlera Hasani dhe jam nxënëse e vitit të parë në Pearson College UWC në Kanada. Jetoj në kampusin e shkollës, të mbushur plot gjelbërim dhe me dalje në oqeanin Paqësor. Dhomen e ndaj me tri vajza nga tri kontinente te ndryshme dhe çdo ditë jam e rrethuar me nxënës nga më shumë se 80 vende të ndryshme të botës.
Ditët këtu janë gjithmonë të zëna me mësime dhe aktivitete të ndryshme jashtëshkollore. Është një eksperiencë me të vërtetë sfiduese, por ambienti i ngrohtë e mikpritës këtu e bën gjithcka më të lehtë. Duke qenë buzë oqeanit, shkolla organizon shumë aktivitete që shfrytëzojnë këtë pëparësi gjeografike. Unë jam anëtare e “Paddle Sports”. Çdo të mërkure ne vozisim kanoet ose lundrojmë për rreth dy orë. Pamja e mrekullueshme dhe koha argëtuese me nxënësat e tjerë të bëjnë që mos ta ndjesh lodhjen. Gjithashtu unë jam një PCERT (Pearson College Emergency Response Team). Jam trajnuar për të dhënë ndihmën e parë, si në aspektin e shëndetit fizik po ashtu dhe mendor, dhe këtë javë kam pasur mundësinë t’iu mësoj disa gjëra edhe nxënësve të tjerë. Në “Ditët Regjionale” dhe në biseda të përditshme kam pasur mundësinë të flas për atdheun dhe historinë tonë, por gjithashtu kam mësuar për shumë kultura e tradita të ndryshme e interesante.
Këto 3 muaj të paharrueshëm kanë pasur ndikim të madh tek unë: m’i kanë zgjeruar horizontet e dijes duke më bërë më mendjehapur se ç’kam qenë më parë, më kanë bërë më të pavarur dhe m'a kanë rritur dashurinë për atdheun dhe njerëzimin. Përveçse ndjehem shumë falënderuese që UWC më jep mundësinë të edukohem në një nga programet më rigoroze arsimore në botë, ndjehem gjithashtu e bekuar që kohën time e ndaj me njerëz të mahnitshëm, secili me synime të mëdha dhe me vullnet për të ndryshuar botën për të mirë. UWC është gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë.